Nga dhomat e shtëpisë, zbret në një kishë katakomb deri më tani, unike në Shqipëri. Është vetëm disa metra katrorë dhe mbart vlera historike, fetare dhe kulturore.
Kisha e vjetër gjendet brenda lagjes “Kala” në Elbasan, nën themelet e banesës ku është rritur edhe prifti 20-vjeçar, Nikolla Xhufka, i cili, vendosi ta zbulojë për të gjithë.
“Ndihemi familjarisht të bekuar nga Zoti që kemi mundësi që t’i drejtojmë lutjet tona Zotit në këtë kishë”, tha kohë më parë, prifti Nikolla Xhufka.
Kisha me emrin e Shën Kozmait, sipas tij, ka funksionuar në shekuj për besimtarët edhe në kohë luftrash, pushtimesh e diktaturash.
“Vlerat historike që kjo Kishë ka, e para është lipsani i Shën Jovan Vladimirit, që është një vlerë shpirtërore e jashtëzakonshme. Një vlerë tjetër e shtuar, është që kjo kishë është ndërtuar sipër murit të kalasë, gjë që, nuk besoj se e ka hasur ndokush”, pohoi prifti Nikolla Xhufka.
Gjithçka ka mbetur ashtu siç ka qenë ndër breza, thotë prifti që është gati ta hapë edhe për turistët, kishën e vogël nën dhe.
“Patjetër që do ishte mirë, që kjo kishë të ishte atraktive për turistët, të vinin ta shikonin”, shtoi ai, transmeton ‘konica.al’.
Historiku i kishës:
Kisha Shën Maria në Elbasan është një nga kishat më të vjetra ortodokse në Shqipëri. Ajo u ndërtua në gjysmën e dytë të shekullit të XIII, në lagjen “Kala” të këtij qyteti.
Sipas arkivave të Vatikanit, më herët, rreth viteve 458-519 flitet për ekzistencën e një katedraleje në qytet.
Por, kisha merr një rëndësi të veçantë sidomos pas pushtimit turk. Në atë kohë, banorët e lagjes “Kala” iu drejtuan me një kërkesë Portës së Lartë ku i kërkuan që të mos prishej kisha.
Si rrallëherë në historinë e perandorisë Osmane, Porta e Lartë e mori në konsideratë kërkesën e banorëve të lagjes “Kala”, por vendosi një kusht, kisha nuk do të shembej, por kulla e këmbanës së saj nuk do të ishte më e lartë se sa minaret e xhamive në qytet. Dhe ashtu u bë. Kisha nuk u shemb.
Përreth kishës ndodhej varreza dhe në nder të besimtarëve ortodoksë, u vendos që ata të zhvarroseshin të gjithë dhe eshtrat të vendoseshin në dyshemenë e kishës. Dhe ashtu u bë. 600 skelete njerëzish u sistemuan në dyshemenë e kishës dhe sipas të dhënave ndodhen aty edhe sot e kësaj dite. Gjithashtu nën dyshemenë e kishës Shën Maria, ndodhen katakombe dhe tunele të nëndheshme, që përfundojnë në male dhe në Shkumbin.
Kisha u dogj në vitin 1818, por u rindërtua në vitin 1826. Ndërtimi i ikonostasit të saj, përfundoi në vitin 1833.
———————-
Lexo edhe:
Kisha e Shën Mërisë në ishullin e Maligradit, guri i çmuar i Prespës
ObserverKult